“Duhet të paguani shpenzimet e funeralit” Deklarata e çuditshme e kryebashkiakut


Një kryebashkiak francez ka bërë një deklaratë të çuditshme, duke bërë të ditur se kushtet në Mont Blanc tani janë aq të rrezikshme sa që alpinistët duhet të paguajnë një vlerë prej 15,000 € për të mbuluar shpenzimet e shpëtimit dhe funeralin.

Kryebashkiaku Jean-Marc Peillex tha se kostoja mesatare e një shpëtimi në mal ishte 10,000 € dhe kostot e funeralit ishin 5,000 €. “Është e papranueshme që taksapaguesi francez të mbulojë këto shpenzime”, u shpreh ai në një deklaratë për shtyp.

Deklarata e tij në faqen zyrtare të fshatit Saint-Gervais vuri në dukje se udhërrëfyesit malorë tani po refuzonin të merrnin alpinistët.

Ai i tha BBC-së “Doja t’i bëja njerëzit të reagonin, të kuptonin se sot është shumë e rrezikshme, pothuajse vetëvrasëse të ngjitesh”.

Sakaq, kryebashkiaku nuk ka nxjerrë ende një vendim ligjor për vlerën e propozuar, por ka fuqinë për ta imponuar atë, tha ai për BBC. “Nëse dikush mendon se është e paligjshme, ai mund të shkojë në gjykatë për ta kundërshtuar atë,” shtoi ai.

Mungesa e borës së dimrit dhe vapa e jashtëzakonshme e kësaj vere kanë destabilizuar shkëmbinjtë dhe kanë bërë më të vështirë kalimin e çarjeve. Nxehtësia, që i atribuohet ndryshimeve klimatike, ka rritur gjithashtu rrezikun e ortekëve në Alpe, pasi akullnajat shkrihen.