Pandemia lehtësoi skemën e sigurimeve, shteti po paguan më pak pensione, si rrjedhojë e vdekjeve të larta


Numri i pensioneve të mbyllura në skemën e sigurimeve shoqërore pësoi rritje të shpejtë në dy vitet e pandemisë, duke ndikuar në zbutjen e ritmeve të rritjes së totalit të pensionistëve.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se gjatë vitit 2021 u mbyllën 19,323 pensione me rritje 45% më shumë se mesatarja e tre viteve para pandemisë 2017-2019.

Para pandemisë dilnin nga skema rreth 13,400 pensionistë si pasojë e humbjes së jetës, por ky numër u shtua me shpejtësi gjatë vitit 2020 dhe sidomos në vitin 2021. Në vitin 2020 dolën nga skema e sigurimeve si pasojë humbjes së jetës rreth 15,590 persona, ndërsa ky numër u rrit më tej gjatë vitit 2021. Shkak për këtë rritje është bërë pandemia Covid-19, e cila goditi më së shumti me humbje jetë moshat e vjetra në pensionim.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, ritmi vjetor i rritjes së pensionistëve në skemë u zbut ndjeshëm. Në vitin 2021 shtesa e pensioneve në skemën e sigurimeve ishte rreth 8 mijë, nga mbi 15 mijë që ishin para pandemisë. Totali i pensionistëve që trajtohen me pagesa nga skema e sigurimeve shoqërorë arriti në 673,813 në vitin 2020 nga 665,863 që ishin në vitin 2020.Më herët, INSTAT raportoi se numri i vdekjeve gjatë vitit 2021 pësoi rritje të shpejtë. Në të gjithë vendin humbën jetën 30507 persona, nga të cilat 19,323 ose 63 % ishin pensionistë.

Sakaq, Shqipëria është futur në një proces plakjeje të shpejtë prej emigracionit të lartë të të rinjve dhe rënies së numrit të lindjeve. Popullsia e vendit është vënë nën presion edhe nga humbja më e shpejtë e moshave të vjetra prej krizës pandemike.

Për herë të parë që nga viti 1923, kur nisi të matej popullsia e vendit, popullsia e Shqipërisë pësoi shtesë natyrore negative në vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të INSTAT për shkak se vdekjet ishin më të larta se lindjet.

Vitin e kaluar për herë të parë shtesa natyrore ishte negative, pasi numri i vdekjeve ishte 3296 me i lartë se i lindjeve.

Megjithë efektet e pandemisë në moshat e vjetra, popullsia e vendit po plaket me shpejtësi. Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara në vitin 2050, në Shqipëri numri i konsumatorëve që janë mbi 65 vjeç do te jetë sa gjysma (49%) e numrit të punonjësve të të gjitha moshave.

Rritja e varësisë ekonomike të të moshuarve është e lidhur me plakjen e popullsisë dhe uljen e normës së fertilitetit (lindshmërisë). OKB thotë se në vitin 2019 në vend kishte 409 mijë persona të moshës mbi 65 vjeç, ose 14% e totalit të popullsisë. Ndërsa në 2050-n, numri i të moshuarve mbi 65 vjeç do të jetë 617 mijë, ose 25% e totalit.

Plakja e popullsisë është një fenomen global. Pothuajse çdo vend në botë po përjeton rritje si në madhësinë ashtu edhe në përqindjen e personave të moshuar në popullatë. Në vitin 2019, kishte 703 milion persona të moshës 65 vjeç e mbi popullsinë globale. Ky numër parashikohet të dyfishohet në 1.5 miliardë në vitin 2050. / Monitor