“Na dinë për robotë..”/ Linjat ajrore probleme me stafin, “trazirat” kërcënojnë pushimet


Edhe pse dara e pandemisë së koronavirusit nuk shtrëngon më mbi kompanitë ajrore, pasojat e saj vazhdojnë të ndihen, këtë herë edhe në formën e problemeve me stafin.

Pas mbylljeve fillestare, shumë punonjës u detyruan të linin punën, të jepnin dorëheqjen apo të dilnin me herët në pension. Por edhe pse tashmë të gjithë po kërkojnë një rikthim në përditshmërisë e përpara Covid 19, përfshirë këtu udhëtimin ajror, ky fenomen ka vazhduar, duke u kthyer në shqetësim për mjaft firma. Amerikania JetBlue është përballur me vonesa e anulime të shumta, të cilat i atribuohen mungesës së stafit.

Transport Workers United, që përfaqëson rreth 5000 punonjës të saj, thoshte më herët se mungesave të tilla dhe ngërçeve operacionale, kjo kompani i ishte përgjigjur duke rritur masat ndëshkuese, presionin e kritikat ndaj të punësuarve. Për çdo vonesë apo ndryshime fluturimi, merret nga koha e tyre e pushimit, ndërsa në disa raste ishin detyruar edhe ta paguanin nga xhepi qëndrimin në hotel. “Nuk na shohin si njerëz, na shohin si robotë. Ne duam të punojmë, duam që pasagjerët të kthehen, por jo në këto kushtet, duket sikur nuk ka më respekt për punonjësit”, tha një stjuardesë e JetBlue. Probleme të ngjashme janë regjistruar nga Australia e deri në Europë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ngërçet vazhdojnë prej javësh. Aeroporti i Gatwick në Londër dhe ai i Schipholit në Amsterdam, që të dy po planifikojnë kufizimin e numrit të pasagjerëve gjatë pikut të pushimeve verore, ndërsa Lufthansa gjermane ka anuluar me qindra fluturime. Industria e aviacionit, thonë mediet e huaja, nuk ka mjaftueshëm njerëz për të kryer sic duhet aktivitetin e saj, e mund të nevojiten deri në 12 muaj përpara se situata të lehtësohet.