Jeffrey Sachs – Ekonomisti idealist apo pragmatik?


Nga Adrian CIVICI

« Profesori » apo « akademiku » që figuron më shumë në klasifikimet e personaliteteve më influencues në botë për zhvillimin ekonomik e social, ekonomisti idealist që beson se mirëqënia gjendet brenda tregut dhe eficencës së tij.

Profesor në Harvard dhe Columbia University, drejtor i  “The Earth Institute”, konsulent special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Kofi Annan për “Objektivat e Mijëvjecarit për Zhvillimin”, konsulent ekonomik pranë shumë qeverive në Amerikën latine, Europën lindore, ish-Bashkimin Sovjetik, Azisë, Afrikës, propozues i të famshmes “shock therapy” si zgjidhja më eficente për krizat ekonomike në Bolivi, Poloni dhe Rusi. Sachs, i etiketuar shpesh si “ekonomisti i ajrit” për shkak të numrit të madh të lëvizjeve nëpër botë, vlerësohet dhe si një nga bashkëpunëtorët më të spikatur të agjensive dhe institucioneve ndërkombëtare të tilla si FMN, Banka Botërore, OCDE, OBSH, PNUD,etj., në fushat e reduktimit të varfërisë, anullimin e borxheve të vendeve të varfëra, zhvillimin e programeve për kontrollin epidemiologjik në vendet e varfëra dhe ato në zhvillim, zhvillimin e qëndrueshëm,etj. Konsiderohet si një nga ekonomistët më të mirë në botë në fushën e “ekonomisë së zhvillimit” dhe problematikës ekonomike për vendet e varfëra dhe ato në zhvillim. Ikona e tij më e vlerësuar ndër ekonomistët dhe teoritë e tij është John M. Keynes.

Sachs tregon se ndërkohë që ishte i bindur se karriera e tij do të fokusohej në botën akademike universitare, mjaftoi një “ngjarje rastësore” që ndryshoi gjithshka. Në vitin 1985, vetëm një vit mbasi kishte fituar postin e profesorit në universitetin e Harvardit, asistoi në një seminar me një delegacion zyrtar bolivian. Në atë periudhë Bolivia po përballej me një inflacion të jashtëzakonshëm prej 40000% dhe nuk po gjente asnjë rrugë dalje nga situata katastrofike ekonomiko-financiare ku ndodhej. Në mes të seminarit, profesori 31 vjecar jeffrey Sachs kërkon fjalën për të shkruar disa rreshta në tabelë. “Ju mund të dilni nga kjo situatë vetëm nëse bëni këto tre gjëra : reduktoni shpenzimet buxhetore; ndaloni emetimin monetar; privatizoni dhe liberalizoni ekonominë”. Nga fundi i sallës një Ministër bolivian ju përgjegj : ok djalosh, por këto janë vetëm llafe…je gati të vish në Bolivi dhe ti provosh metodat e tua? Disa javë më vonë Sachs filloi misionin e tij të parë “zyrtar” si konsulent ndërkombëtar duke aplikuar një “program special të stabilizimit ekonomik dhe rigorozitetit buxhetor” që brenda 3-4 vitesh e shpëtoi Bolivinë nga hiperinflacioni dhe kriza ekonomike .

Mbas Bolivisë, Sachs u “thirr në ndihmë” nga qeveritë e Argjentinës, Brazilit, Ekuadorit dhe Venezuelës. Në vitin 1989, e vuri “formulën e tij shpëtuese” neoliberale në shërbim të qeverisë polake të Lech Walesa-s, sfidë për të cilën imponoi qëndrimin radikal në kuadrin e të famshmes “shock therapy”, megjithë polemikat dhe kritikat e shumta që ngjalli metoda e tij. Në vitet 1991-1992, Sachs ndërtoi dhe zbatoi me sukses politika anti-inflacioniste duke vendosur stabilitetin monetar në Estoni dhe Slloveni. Asistoi qeverinë e Mongolisë në hartimin e një programi special të stabilizimit makroekonomik dhe realizimit të privatizimeve të mëdha.

Trajektorja e sukseseve të tij u lëkund vetëm në Rusinë e Boris Eltsin-it në vitet 1991-1994, pasi reformat e propozuara nuk dhanë frutet e shpresuara, dhe vendi u zhyt në një krizë të thellë ekonomike e financiare të shoqëruar me një rritje të ndjeshme të tensioneve sociale. Sachs nuk arriti ta bindte qeverinë ruse për shpejtësinë dhe thellësinë e reformave, të cilat u gjykuan si “shumë brutale” dhe u ngadalësuan apo u aplikuan në mënyrë të pjesshme. Sachs fajësoi për këtë dështim dhe FMN, administratën amerikane dhe disa qeveri të Europës perëndimore të cilat nuk i akorduan ndihmat në kohën e duhur kur në Rusi qeverisnin reformatorët.

Bashkëpunëtorët e tij tregojnë se “Sachs ndërton një sistem pune krejt të vecantë. Ai arrin në një vend ku situata ekonomike është problematike…gjatë një jave takon gjithë personalitetet dhe ekspertët më të mirë të këtij vendi në mënyrë që të ketë një pasqyrë të saktë situatës…dhe pastaj, brenda disa ditëve redakton në kompjuterin e tij një MEMO prej 5 faqesh me reforma dhe argumenta solide. Ai afron rreth vetes akademikë lokalë, ekspertë pro-perëndimorë, mban lidhje të ngushta me shtypin lokal dhe atë amerikan. Së fundi, Sachs tenton të krijojë kontakte të privilegjuara me ministrat më influentë për të bashkëpunuar ngushtë me ta”. Në Bolivi ishte Gonzalo Sanchez de Lozada, Ministri i Planit; në Poloni ishte Leszek Balcerowicz, Zv/Kryeministri;etj. Paratë i merrte gjithmonë nga OKB ose fondacione të ndryshme, por asnjëherë nga qeveritë që asistonte, duke deklaruar se “kështu është më mirë, une ruaj pavarësinë time, ndërsa qeveritë shpëtojnë nga kritikat” .  Fjalët e tij celës janë : ”pavarësi dhe autonomi”.

Sachs ka mbajtur qëndrim kritik ndaj FMN. Në vitin 1999 kërkon publikisht dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të FMN Michel Camdessus duke deklaruar se “FMN gabon në gjithshka. Politikat e saj të axhustimit strukturor në Brazil, Tailandë, Indonezi, Korenë e Jugut dhe Rusi ishin një dështim i plotë”. Ai shprehet kundër zhargoneve “të pastra akademike” apo “zyrtare korrekte të ekspertëve e drejtuesve të OKB” duke kërkuar që për ekonominë, financat, zhvillimin apo varfërinë të flitet qartë e direkt. Sachs cilësohet për këtë arsye si një nga “virtuozët e komunikimit global”, si një idealist pragmatik. Në SHBA vlerësohet si një “demokrat i vendosur”, si një “njeri i të majtës”. Kritikave të shumta kundrejt recetave të tij ultraliberale , Sachs i përgjigjet duke thënë se kur një vend dëshiron të kalojë nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut, kjo duhet bërë sa më shpejt dhe reformat duhen cuar deri në fund. Kushdo qoftë ky vend, pavarësisht historisë apo kulturës specifike të tij, ai duhet të zbatojë disa parime thelbësore : këmbimin e lirë, rigorozitetin buxhetor, tarifa të ulta doganore, një monedhë të konvertueshme lirisht në treg, taksa të ulta, një Shtet modest, institucione që funksionojnë në mënyrrë korrekte e eficente, tregje financiare të zhvilluara,etj. Në periudha afat-shkurtëra gjithshka duket e hidhur dhe kostot sociale janë të larta, por më vonë perspektivat janë pozitive dhe vendi hyn normalisht në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. E vërteta është se në ditën e parë të fillimit të “shock therapy” të gjithë janë të humbur, ndërsa duke filluar nga “një ditë më pas” ka më shumë fitues se sa humbës, dhe rradhët e fituesve shtohen cdo ditë e më tepër.

Që prej fjalës së Harry Truman në 29 janar 1949 mbi “ndihmën për zhvillim” vazhdon të zhvillohet një debat i fortë mbi efektin dhe rolin e këtyre ndihmave në zhvillimin e vendeve të varfëra. Opinionet ndahen në dy kampe : “pro” të përfaqësuara nga Jeffrey Sachs dhe “kundra” të përfaqësuara përgjithësisht nga shkolla neoklasike e cila mendon se ndihmat për zhvillim nuk janë efektive, se ato shërbejnë thjesht për të “transferuar paratë e të varfërve të vendeve të pasura tek të pasurit e vendeve të varfëra”, se ato i bëjnë më shumë keq se sa i ndihmojnë vendet e varfëra , se “politikat perëndimore të ndihmës kundrejt vendeve të varfëra janë një dështim i plotë”, se ato “inkurajojnë korrupsionin dhe keq-qeverisjen” , se “këto vende mund të zhvillohen edhe pa ndihmën financiare të vendeve të zhvilluara..se anullimi i borxheve të vendeve të varfëra ishte gabim,etj.” .

Jeffrey Sachs, në statusin e këshilltarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki Moon, qëndron në pozicion të kundërt duke argumentuar se po të meren masat e nevojshme, varfëria në botë mund të zhduket brenda një periudhe 20 vjecare, sepse egziston një nivel varfërie në të cilin individët ndodhen të mbyllur në një rreth vicioz dhe nuk mund të dalin dot prej tij pa ndihma financiare nga jashtë. Cdo individ ka nevojë për një të ardhur shtesë përtej këtij niveli varfërie në mënyrë që të ardhurat e tij në të ardhmen të jenë më të larta dhe kështu ai mund të garantojë daljen nga zona e varfërisë absolute.

Ai i rekomandon organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe shteteve të pasura e të zhvilluara, që të adoptojnë llogjikën e “venture capital”, dmth., të japin gjithë shumën e ndihmave në kohën e duhur në një vend të dhënë, dhe jo ta japin atë me pjesë të vogla e të distancuara në kohë ndërmjet tyre. Në vendet e varfëra duhet që nga varfëria të dalë një brez i tërë në mënyrë që brezat e ardhshëm të zhvillohen normalisht. Për Sachs-in, ndihmat për zhvillim duhet të arrijnë shumën prej 190-200 miliard usd në vit për të shpëtuar nga varfëria mbi 1 miliard njerëz në vendet e varfëra të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine. E gjithë kjo shumë nuk përbën më shumë se 0.7% të PBB të vendeve të pasura të planetit, por me përjashtim të vendeve skandinave, pothujase të gjithë vendet e tjera të pasura nuk japin më shumë se 0.2-0.3% të PBB të tyre.

Në librin e tij “The End of Poverty: Economic Possibilities for Our Time”, Sachs u bë shpejt një nga referencat më të rëndësishme ndërkombëtare në kuadrin e përpjekjeve për reduktimin e varfërisë. Sachs e fillon librin duke i kujtuar të gjithëve se në fillim të shek.XXI-të, 8 milion njerëz vdesin cdo vit (ose 20000 në ditë) për shkaktë varfërisë…se 11 milion fëmijë vdesin cdo vit nga sëmundje të ndryshme (ose 30000 në ditë)…se mbi 1 miliard njerëz të tjerë luftojnë cdo ditë për ti mbijetuar urisë dhe vdekjes (400 milion në Azinë e Jugut dhe 300 milion në Afrikë)…se 1.5 miliard njerëz të tjerë, megjithëse arrijnë të plotësojnë kërkesat minimale ushqimore përballen cdo ditë me vështirësi financiare kronike, me mungesa evidente të shërbimeve bazë si uji i pijshëm, pajisjet sanitare, veshjet normale, standarte minimale banimi, mundësi shumë të kufizuara shkollimi apo kujdesi shëndetësor,etj.

Për Jeffrey Sachs, tragjedia më e madhe e epokës sonë është se më shumë se 1/6 e njerëzimit ndodhet krejtësisht jashtë cdo lloj dinamike zhvillimi. Sfida dhe përgjegjësia e gjeneratës sonë është ti japë fund varfërisë ekstreme në botë deri në vitin 2025, është rëndësia dhe prioriteti që ne duhet ti japim këtij oportuniteti historik, i paimagjinueshëm një apo dy shekuj më parë. Sachs tregon me shifra konkrete se e ardhura mesatare për person në Europën perëndimore në vitin 1820 ishte pothujase e njëjtë me të ardhurat mesatare të një afrikani sot.

Për realizimin e kësaj sfide, përpjekjet duhet të përqëndrohen në ndihmën për vendet ku varfëria ekstreme është endemike, në mënyrë që këto vende të ngjiten të paktën një shkallë më lart në zhvillimin ekonomiko-social të tyre. Sachs beson tek mekanizmat e tregut dhe eficenca e tyre në realizimin e këtij objektivi. Ai nënvizon se kur egzistojnë kushtet paraprake të tilla si infranstrukturat bazë (transporti, energjia,etj.) dhe kapitali human (edukimi, kujdesi shëndetësor,etj.), tregjet bëhen motorrë të fuqishëm për zhvillimin ekonomik. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme vendesh të varfëra janë viktima të “kurthit të varfërisë” dhe duhen ndimuar pikërisht për të dalë nga ky ngërc. Në kuadrin e “Objektivave të Mijëvjecarit për Zhvillimin” duhet të ndërtohen strategji specifike kombëtare të reduktimit të varfërisë për vendet me të ardhura të pakta, duke u përqëndruar në 5 drejtime kryesore ndërhyrjeje : farat, plehrimi dhe ujitja në bujqësi; kujdesi shëndetësor bazë; investimet në shkollim; mbështetja e sektorëve të transportit dhe komunikimit; uji i pijshëm dhe strukturat sanitare.

Në mënyrë që të japë një recetë konkrete propozimeve të tij për strategjitë e reduktimit të varfërisë në këto vende, Sachs, në analogji me mjekësinë, përdor nocionin “ekonomi klinike”. Sipas tij, vendet ashtu si pacientët, janë sisteme komplekse që kërkojnë diagnoza specifike në kuadrin e një konteksti të caktuar : analizë e situatës, përcaktimi i diagnozës së diferencuar specifike për problemet ekonomike e sociale, dhe së fundi, recetë e përshtatur në mënyrë specifike. Janë të shumtë faktorët që favorizojnë apo pengojnë një vend që të integrohet në tregun botëror : korrupsioni qeveritar; pabarazitë dhe mangësitë juridike; diferencimet sociale, etnike, gjinore, etj.; sëmundjet si malarja, SIDA, tuberkulozi, etj.; mungesa e infrastrukturës së transportit, tregëtisë, shkollimit, shëndetësisë, komunikimit, etj.; paqëndrueshmëria dhe konfliktet politike; proteksionizmi; pengesat me natyrë gjeografike,etj. Në një pjesë të konsiderueshme të librit, Sachs analizon në detaje faktorët e mësipërm dhe jep “recetat” potenciale për kurimin e tyre, duke e ilustruar aplikimin e nocionit “ekonomi klinike”.

Sachs këmbëngul në faktin se niveli prej 0.5% të PBB është dukshëm më i ulët se angazhimi që vendet e pasura kanë marrë prej shumë vitesh për të dhuruar si ndihmë për zhvillim 0.7% të PBB të tyre. Me fjalë të tjera, vendet e pasura i kanë të gjitha mundësitë që ti japin fund varfërisë ekstreme në botë./Fjala.al/