“Është thjeshtë fantazi” Plani italian i paqes, Moska reagon ashpër


Zëdhënësja ruse e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova ka folur për planin e paqes  të ofruar nga Italia.

Sipas saj, ky projekt është fantazi.

“Nuk mund ta furnizoni Ukrainën me armë me njërën dorë dhe me tjetrën të krijoni plane për një zgjidhje paqësore të situatës”, tha ajo.

Kujtojmë se javën e kaluar, ministri i jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, dha skicat e përgjithshme të planit dhe tha se e kishte diskutuar atë me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, gjatë një vizite në Nju Jork.

“Plani do të përfshijë grupe ndërkombëtare si OKB, BE dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë për të vepruar si lehtësues për të organizuar fillimisht armëpushime të lokalizuara”, tha Di Maio në një konferencë shtypi në Itali të premten e kaluar.

Të martën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk e kishte parë ende planin italian të paqes, por se shpresonte ta merrte atë përmes kanaleve diplomatike.

“Nëse shpresojnë se Federata Ruse do të shfrytëzojë ndonjë plan perëndimor, atëherë nuk kanë kuptuar shumë”, u shpreh ai.