Berisha dhe Alibeaj takime në bazën demokrate. Ja kush i shoqëron


Ish-kryeministri Sali Berisha, kandidati kryesor për të fituar në 22 maj, por edhe Enkelejd Alibeaj që nga disa njihet si kryetar në detyrë i PD e disa të tjerë si kryetar grupi parlamentar, kanë zbarkuar në bazë.

Berisha është takuar me mbështetësit e tij në Elbasan, në takimin e parë të fushatës elektorale përballë Ibsen Elezit. Ai shoqërohej nga deputeti i këtij qarku Luçiano Boçi dhe strukturat lokale.

“Unë pres sot nga ju që të jepni mendimet tuaja, sugjerimet tuaja, çfarë duhet të bëjë PD, çfarë duhet të bëjmë ne për të bindur shqiptarët të mbrojmë interesin tonë kombëtar, të mbrojmë interesin e Shqipërisë dhe të ngrihemi fuqishëm se absolutisht edhe njëherë e them se tokë dhe vend me potencialet e këtij vendi nuk ekziston mbi tokë”, iu drejtua Berisha demokratëve të Elbasanit.

Nga ana e tij, Enkelejd Alibeaj pati një takim me strukturat e Fierit, nga ku ka dalë deputet e si për koicidencë nesër do t’i vizitojë Sali Berisha, sipas bw.

“Takimi me strukturat e PD-së, në Fier. Bashkëbisedim me anëtarë të kryesisë dhe drejtues grup seksionesh të kësaj dege dhe mbi të gjitha takim mes miqsh e kontributorësh historikë, të ditëve më të vështira. Së bashku me Kryetarin e degës së PD-së Fier, Agron Kapllanaj dhe me kolegët e qarkut, Eralda Tase Bano, Ilda Dhori dhe Saimir Korreshi”, bën të ditur Alibeaj.