“Ka ndodhur diçka e rëndë dhe e padrejtë” Rama zgjedh fjalët me kujdes në përfundim të vizitës në Kosovë


Pas vizitës dy ditore në Kosovë, kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbajë një konferencë për mediat në aeroportin e Prishtinës Adem Jashari.

Përpara nisjes në Shqipëri, duket se ai ka zgjedhur fjalët me kujdes gjatë prononcimit në mesazhin që ka dashur të japë.

“Dëshiroj të bëj të qartë faktin se unë jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare besoj për t’i dhënë një mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politik të saj në kushtet kur e dimë të gjithë ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë,” tha Rama.

Ai shtoi ndër të tjera se është koha për ribashkim në emër të historisë dhe gjeneratave që do të vinë.

“Ky është një moment për t’u bashkuar me njëri-tjetrin për historinë tonë dhe gjeneratat e tjera. Kush mendon, kush propagandon qoftë edhe me një koment të pafajshëm në rrjetet sociale, se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personash, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike apo shkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi,” tha Rama.

I pyetur se përse nuk i takoi të gjithë palët bashkë, Rama tha se bashkimi nuk është puna e tij.

“Unë nuk erdha këtu për të bashkuar të gjithë partitë apo udhëheqësit e tyre në një tryezë. Kjo nuk është detyra ime. Kosova duhet mbështetur pa kushte dhe cilido që është kryetar i qeverisë duhet të jetë mishërim i kësaj detyre.

Shqipëria nuk do e marrë detyrën e kujdestarit apo tutorit që i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë të bëjë. Opinionet e mia janë të një vëllai që jeton në një shtëpi tjetër. Ky është një problem, por edhe privilegj,” tha Rama.