Zyrtare, ish-gardisti i 21-janarit bëhet kryetar bashkie me vendim gjykate


Ditën e sotme gjykata e Matit ka miratuar mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të emëruar kryebashkiakun e ri të këtij qyteti Agron Malaj, i cili doli fitues pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Malaj është ish-gardist i 21 janarit dhe në momentin që hyri në garën e zgjedhjeve hoqi dorë nga drejtimi i OSHEE-së.

Emri i tij u kundërshtua në masë për pjesëmarrjen e tij në protestën famëkeqe.

Ky është mandati i dytë i konfirmuar nga gjykata për fituesit e zgjedhje të 30 Qershorit në katër bashkitë e Qarkut Dibër.

I pari ishte Ilmi Hoxha për Bashkinë Klos, ndërsa pritet që mandatin ta marrin edhe Lefter Alla për Bashkinë Bulqizë dhe Dionis Imeraj për Bashkinë Dibër.

Ndërkohë duhet bërë konstitimi i këshillave bashkiak dhe betimi i kryetarëve të rinj që këta të fundit të marrin zyrtarisht detyrën.

Mandatet e Këshillave Bashkiakë ende nuk janë konfirmuar, pasi ato do t’i kalojnë kolegjit zgjedhor, për shkak se në KQZ duan shumicë të cilësuar votash.