Mediu flet me emra, këta mund të jenë ministra të qeverisë tranzitore


Propozimi për një qeveri tranzitore që do të përgatis vendin për zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme të parakohshme është karta më e fortë e Opozitës. Sipas një prej figurave më të forta të Opozitës, Fatmir Mediu qeveria tranzitore mund të jetë me një mandat 6-mujor deri në krijimin e klimës së duhur për të pasur zgjedhje të lira dhe të drejta.

“Unë mendoj që duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare, ndoshta pas gjashtë muajsh. Dhe këtë periudhë gjashtëmujore duhet të kemi një qeverisje që përbëhet nga figura që kanë pasur autoritetin për të kontestuar të keqen brenda forcës së tyre politike, por edhe që kanë qenë me një eksperiencë politike të vlefshme që mund të garantonin një marrëdhënie të qëndrueshme të të dy krahëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.

Më tej në prononcimin e tij Mediu ka dhënë edhe disa emra të atyre që mund të jenë ministra në kabinetin tranzitor që do të përgatis vendin drejt zgjedhjeve.

Po cilët mund të jenë këta përfaqësues nga ana e shumicës dhe opozitës? “Po ju them disa emra, Arben Malaj, Arta Dade, Ylli Bufi, Rexhep Mejdani, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj. Pra ka shumë autoritete të cilat besoj kanë frymën dhe interesin për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe i kanë shërbyer me sinqeritet interesave të vendit. Këta janë elementë që e tejkalojnë interesin e palëve. Përveç kësaj, mendoj që Shqipëria ka figura të rëndësishme nga bota akademike dhe intelektuale, që nuk kanë lidhje apo interesa qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë kriminale”, thotë Mediu për a2cnn.